Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Magjistrica e Firences

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Magjistrica e Firences

nga Botimet Dudaj

1.400 Lekë

Salman Rushdie

Magjistrica e Firences

Roman

Përktheu: Ilir Baçi

Nr. faqe: 376

ISBN 978-99943-0-251-2

Një djalosh shtatlartë e flokëverdhë nga Europa, i cili e quan veten “Mogor del’Amore” (që do të thotë mongol i lindur jashtë lidhjes martesore), vjen në oborrin e një mongoli të vërtetë: Mongolit të Madh, perandorit Ekber. Udhëtari i ri ka sjellë me vete një histori që fillon ta magjepsë kryeqytetin perandorak. I huaji pretendon se është fëmija i një princeshe të humbur mongole, i motrës së vogël të gjysh Babarit të perandorit Ekber. Princesha quhej Karakëze, “Zonjë Syzeza”, dhe ishte një bukuroshe që besohej se zotëronte fuqitë e magjisë. Në fillim, princeshën Karakëze e zë rob një kryeluftëtar uzbek, pastaj shahu i Persisë dhe, më në fund, bëhet e dashura e njëfarë Argalia, një mercenari fiorentinas, komandant i ushtrive të sulltanit osman. Kur Argalia kthehet në qytetin e lindjes së bashku me të dashurën mongole, qyteti magjepset nga prania e saj. Dhe atëherë fillojnë telashet.

“Magjistrica e Firences” është historia e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri-tjetrit. Këta janë kryeqyteti qejfdashës mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështje të fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja, po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj, ku shoku i fëmijërisë i Argalias, Makia (Niccolò Machiavelli), po e provon mbi kurrizin e tij se çfarë është mizoria e pushtetit. Këto dy botë kaq të largëta dalin se, çuditërisht, janë shumë të ngjashme e të ngërthyera në magjepsjen e grave.

Por a është e vërtetë historia e Mogorit? Nëse po, çfarë i ka ndodhur princeshës së humbur? E nëse Mogori është gënjeshtar, a duhet të vdesë ai?

SALMAN RUSHDIE është autor i dhjetë romaneve të tjera, një përmbledhjeje me tregime, katër veprave eseistike dhe publicistike, si dhe bashkautor recensues i veprës “The Vintage Book of Indian Writing”. Në vitin 1993, romani “Fëmijët e mesnatës” u vlerësua me çmimin “Booker of Bookers”, si romani më i mirë që kishte fituar çmimin “Booker” gjatë 25 viteve të para të shpërndarjes së këtij çmimi. Romani “Psherëtima e fundit e Arapit” (botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”) u vlerësua me çmimin “Whitbread” në vitin 1995 dhe me çmimin “Aristeion” të Bashkimit Europian në vitin 1996. Rushdie është “Fellow of the Royal Society of Literature” dhe “Commandeur des Arts et des Lettres”. Ai është ngritur në rangun e kalorësit në qershor të vitit 2007.

Krahas romanit “Psherëtima e fundit e Arapit”, shtëpia botuese Dudaj ka sjellë për lexuesin shqiptar edhe romanet “Furia” dhe “Haruni dhe një det me histori”.

Një ngjarje e shënuar letrare për këtë vit do të jetë botimi në gjuhën shqipe i autobiografisë së Salman Rushdie-s, i titulluar “Joseph Anton” njëkohësisht me botimin e saj në gjuhën angleze dhe në shumë gjuhë të tjera të botës.