Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Çaste lumturie dhe palumturie të papërfillshme

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Çaste lumturie dhe palumturie të papërfillshme

nga Botimet Dudaj

800 Lekë

Francesco Piccolo

Çaste lumturie dhe palumturie të papërfillshme

Roman

Përktheu: Agim Doksani

Nr. faqe: 220

ISBN 978-9928-176-27-1

Çmimi: 800 lekë

Nuk i honeps dot më njerëzit që më mërzisin sadopak, dhe që më çojnë dëm qoftë edhe një sekondë të vetme të jetës.

GOFFREDO PARISE

Një katalog tinëzar e i papërballueshëm i ngazëllimit të jetës.

“Lumturitë e papërfillshme të Piccolo-s e kanë zanafillën tek arti i vetëpranimit. Ta pranosh vetveten jo sepse e çmon atë në mënyrë të pakushtëzuar, por përkundrazi, sepse arrin ta zotërosh kodin e vetvetes edhe nëpërmjet ceneve dhe dobësive”.

Michele Serra, “La Repubblica”

A mund të ekzistojnë lumturi të papërfillshme? E si mund t’i quash ndryshe ato kënaqësi të thekshme e ikanake që shënjojnë ditët tona, duke përflakur minutat si fijet e shkrepëseve në errësirë? Me shkreptima rrufeje, fshikullima kamxhiku dhe histori, Francesco Piccolo nxjerr cullak me një humorizëm të pamëshirë vetëtimat më verbuese të ngazëllimit, regëtimat, të fshehtat e strukura në skutat më të thella me të cilat herë a vonë të gjithë duhet të përballemi. Faqe pas faqeje, çast pas çasti, përfshihesh nga një shkulm i pandalshëm hareje, inteligjence dhe çmeritjeje.

Pas suksesit të madh që korri Çaste lumturie të papërfillshme, Francesco Piccolo kthehet të tregojë ngazëllimin e çasteve që përbëjnë jetën, vetëm se këtë radhë orvatet t’i shohë nga ana e gabuar. Duke i qëmtuar me kujdes ditët derisa zbulon se si në çdo kleçkë të beftë që të ndodh, qoftë edhe më e bezdisshmja, fshihet diçka e paçmuar: një shkëndijë sfilitëse zbavitjeje dhe vitaliteti.

Secili prej nesh provon gjatë ditës një mijë e një forma të papërfillshme (dhe jo të parëndësishme) trishtimi. Por të lind dyshimi që është “si shkopinjtë e shangait”: nëse do të tërhiqja gjënë që më pëlqen më pak nga njeriu që dua, do të rrëzohej edhe ajo që më pëlqen më shumë.

Të qeshësh me çastet e trishtimit është një kontradiktë nga ato që mund të të ndryshojnë ditën. E megjithatë, po t’ua gjesh anën, kleçkat e papritura, aksidentet, dhimbjet therëse të çastit, shpesh rezultojnë tejet zbavitëse. Nëse janë të papërfillshme për nga rëndësia dhe përjetohen me ngazëllim, përfshihen me të drejtë te gëzimet e jetës.

Dhe askush s’di ta rrëfejë më mirë se Francesco Piccolo, i cili me çastet që e përbëjnë jetën krijon një enciklopedi finoke e fort zbavitëse që mund ta marrësh me vete gjithkund.

FRANCESCO PICCOLO jeton dhe punon në Romë. Për Einaudi-n ka botuar: Ndarja e mashkullit (2008), Histori parëlindurish dhe fëmijësh të vetëm (2012), Perëndimor gazmor (2013) dhe Dëshira për të qenë si të gjithë (2013).

Francesco Piccolo ka fituar Çmimin Strega 2014 me Dëshira për të qenë si të gjithë.