Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Me syrin e një klouni

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Me syrin e një klouni

nga Botimet Dudaj

1.000 Lekë

Heinrich Böll

Me syrin e një klouni

Roman

Përktheu: Ardian Klosi

Nr. Faqe: 240

ISBN 978-9928-176-04-2

Çmimi: 1000 lekë

Hans Shniri, kloun profesionist, është ndarë shpirtërisht nga prindërit e tij qysh kur këta çuan në luftë motrën ende të mitur, Henrietën. Pasi braktis shkollën dhe shtëpinë, jeton si artist bohem me të dashurën, Marien. Por pas një bashkëjetese të gjatë, Maria e braktis, nën ndikimin e disa zyrtarëve të lartë katolikë dhe parimeve të moralit.

Klouni kthehet në qytetin amtar, Bon, pa asnjë të ardhur, i vetmuar dhe i dëshpëruar. U shpall luftë këtu gjithë personazheve shtinjakë rrotull tij, të cilët ia mohojnë lirinë e dashurisë dhe të krijimit. Mungesa e Maries i është kthyer në një vuajtje gati-gati fizike. Përmes armës së tij kryesore, telefonit, zbulon karakteret e personazheve përreth vetes dhe i vë para fytyrës pasqyrën një shoqërie që është shumë më tepër se Gjermania e viteve ’60.

“Këtë mungesë të tmerrshme të Maries, monogaminë time, miqtë e saj katolikë e quajnë dëshira e mishit… Ç’emër që i kanë gjetur: dëshira e mishit! Ta quanin të paktën dëshirë për një grua. Kurse kështu, e mishit, të duket sikur je te kasapi. Janë po ata zotërinj klerikë që mbrojnë me aq zjarr monogaminë e njeriut dhe martesën, por kur u rrëfehet se vuan tmerrësisht nga mungesa, ta bëjnë me shenjë të shkosh në ato vende ku, siç mendojnë ata, dashuria mund të blihet, domethënë në bordello.”

Heinrich Böll (1917-1985) është ndër shkrimtarët kryesor të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Lindi dhe u rrit në Këln. Ishte 6 vjet ushtar dhe pas lufte punoi si ndihmës në një librari. Iu kushtua shpejt krijimtarisë. Ishte një nga themeluesit e Grupit ’47, i cili bashkoi autorët më të rëndësishëm të letërsisë së re gjermane, që fillonte nga e ashtuquajtura orë zero. Pas një numri romanesh e tregimesh, në vitet ’60 e deri në vdekje fitoi autoritetin e “instancës morale të kombit”. Një nga frymëzuesit e lëvizjes ambientaliste në Gjermani. Më 1972 mori çmimin Nobel për letërsinë. Veç “Me syrin e një klouni” përmendim, ndër romanet më të njohura të tij, “Ku ishte ti, Adam?”, “Dhe nuk tha asnjë fjalë”, “Portret grupi me zonjë”, “Nderi i humbur i Katerina Blumit” etj.

““Me syrin e një klouni” është një nga romanet e mëdha të Heinrich Böll-it dhe të letërsisë gjermane të viteve ’60. Është shpërthimi i artistit rebel që sfidon normat e ngurta të shoqërisë për hir të dashurisë së humbur. Njëkohësisht përballja me hipokrizinë e protagonistëve të shoqërisë, që edhe pse më parë patën mbështetur regjimin totalitar nazist, në shoqërinë e sotme predikojnë moralin e krishterë dhe tolerancën, pa i ushtruar dot vetë këto. Ishte i kuptueshëm suksesi i këtij libri në vitin 1984. Sot ai vjen i plotë me të gjitha pjesët e censuruara në atë kohë.”

- Ardian Klosi