Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Dërgomë shumë jetë

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Dërgomë shumë jetë

nga Botimet Dudaj

700 Lekë

Paolo Di Paolo

Dërgomë shumë jetë

Roman

Përktheu: Agim Doksani

Nr. faqe: 168

ISBN 978-99943-0-413-4

Çmimi: 700 lekë

“Kështu është, mësjë, apo jo?

Mund të pyeste taksistin.

Mund të hapte dritaren e makinës dhe të pyeste kalimtarët, të bërtiste

Idetë, të paktën idetë, a do të jetojnë më gjatë se ne?”

Moraldi, që ka mbërritur në Torino për një sesion provimesh, zbulon se ka ngatërruar valixhen me një të panjohur. Ndërsa thyen kokën mbi tekstet e filozofisë dhe vizaton karikatura, ndien t’i rritet dora-dorës admirimi për një bashkëmoshatar të quajtur Piero. I gjatë, thatim, syze miopi, vetëm njëzetekatërvjeçar, Pieroja ka themeluar revista, një shtëpi botuese dhe lufton plot kthjelltësi e sypatrembje rrokopujën autoritare ku po qorrolliset vendi. Janë ditët e Karnavaleve të 1926-ës. Moraldi s’i ndahet këmba-këmbës Pieros, dëshiron ta takojë, ta imitojë, ta bëjë shok, por çdo orvatje dështon.

Ndërkaq shtie sërish në dorë valixhen e humbur dhe lë mendjen pas Karlotës, një fotografe rruge, e shpenguar dhe ikanake, në pragnisje për në Paris. Edhe Pieroja niset për në Paris duke lënë në Torino dashurinë e zemrës, Adën, si dhe foshnjën e lindur vetëm një muaj më parë. Në acarin e qytetit të huaj, i yshtur nga një ankth i ethshëm për projekte, liri e revolucion, Pieroja sëmuret. Po Moraldi? Edhe ai, duke ndjekur pas Karlotën, i është drejtuar Parisit. Dashuria, aspiratat, tensioni drejt së ardhmes: gjithçka ngrihet në ajër si një balonë mbi Senë. Ç’përgjigje duhet të presë? Mos vallë janë Karlota dhe Pieroja përgjigjet e tij? Apo gjithçka është iluzion rinor?

Paolo Di Paolo, duke evokuar një protagonist të shekullit të njëzetë, shkruan një roman plot pasion dhe mallëngjim rreth dashurisë, mundimit, rrezikut të të qenit i ri.

Paolo Di Paolo lindi më 1983 në Romë. Në vitin 2003 mbërrin në finalen e çmimit ‘Italo Calvino’ për të rinjtë me tregimet “Qiej të rinj, letra të reja”. Ka redaktuar disa libra bashkë me shkrimtarë të tjerë italianë, si Antonio Debenedetti, Raffaele La Capria, Dacia Maraini e Antonio Tabucchi.

Është autor i “Çdo udhëtim është një roman” (Laterza, 2007). Për teatrin ka shkruar “Fryma e lehtë e Abruzzo-s”, interpretuar veç të tjerësh nga Franca Valeri, dhe “Pafajësia e postierëve”, vënë në skenë në Teatrin e Napolit, 2010.

Punon për televizionin dhe shkruan në faqet kulturore të disa gazetave të përditshme, si “Il Sole 24 Ore”, “l’Unità” e “La Stampa”. Me “Ku ishit të gjithë” (Feltrinelli, 2011) fitoi çmimin “Mondello” dhe superçmimin “Vittorini”, 2012. Me Feltrinelli-n ka botuar edhe “Dërgomë shumë jetë” (2013; finalist i çmimit ‘Strega’) dhe në rubrikën ‘Zoom’, “Çudia e mrekullueshme e të qenit gjallë” (2012).