Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Si të jesh parisiane kudo që jeton

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Si të jesh parisiane kudo që jeton

nga Botimet Dudaj

1.200 Lekë

Anne Berest

Audrey Diwan

Caroline de Maigret

Sophie Mas

Si të jesh parisiane kudo që jeton

Dashuria, stili dhe zakonet e këqija

Përktheu: Margarita S. Skënderi

Nr. faqe: 272

ISBN 978-9928-176-05-9

Çmimi: 1200 lekë

Nga katër franceze të mahnitshme - më në fund një opinion i freskët dhe i guximshëm mbi atë se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh parisiane: mënyra si vishen, si argëtohen dhe si përpiqen të jenë vetvetja.

Në paragrafë të shkurtër hokatarë, këto gra parisiane sjellin pikëpamjet e tyre shumë origjinale mbi stilin, kulturën, sjelljen dhe burrat . Autoret – Anne Berest, Audreu Diwan, Caroline de Maigret dhe Sophie Mas – beqare, por të lidhura dhe me fëmijë, janë shoqe prej vitesh. Ikonoklaste bohemiane të talentuara, me karrierë në botën e muzikës, filmit, modës dhe botimeve, ato janë atipikisht të hapura dhe të sinqerta, ndërsa demaskojnë mitet rreth asaj se çfarë do të thotë sot të jesh franceze. Duke ju lejuar të depërtoni në sekretet dhe të metat e tyre, ato gjithashtu tallen me sjelljen dhe ndjenjat e tyre të komplikuara dhe shpesh kontradiktore. E pranojnë që janë snobe, paksa të përqendruara te vetja, të paparashikueshme, por jo të pasigurta. Autoritare dhe kokëforta, ato dinë gjithashtu të jenë të ndjeshme dhe romantike.

Ato do t’ju çojnë në një takim të parë, në një festë, të provoni dhimbjen e kokës pas së pirës, në disa nga vendet më të pëlqyera të Parisit, ku hahet mirë. Në fshat, por dhe në një nga darkat e tyre që kanë sekrete gatimi, por që do t’i mashtrojnë të ftuarit duke i bërë të mendojnë se është diçka e kollajtë. Ndërsa të dalësh me to, është të provosh paksa dinakërinë dhe surprizat. Ato do t’ju tregojnë si të jeni misterioze dhe sensuale, si të dukeni të natyrshme, si ta bëni të dashurin xheloz dhe si ndihen lidhur me fëmijët, martesat dhe frekuentimin e palestrës. Gjithashtu ato do të ndajnë me ju librin e tyre të adresave, se ku mund të shkohet në Paris: për ta gdhirë jashtë, për një festë ditëlindjeje, për një takim të atypëratyshëm, për artikuj të cilësisë së mirë e shumë më tepër se kaq.

“Si të jesh parisiane kudo që jeton” do t’ju bëjë të qeshni, ndërsa futeni në lëkurën e tyre, si dhe të guximshme dhe të lira të shfrytëzoni qetësinë tuaj të brendshme.

“Shumë, shumë zbavitës. Ndërsa e lexoja, u ndjeva në fakt më shik, më e mprehtë dhe très parisienne. Nga fundi kam qeshur fort me zë të lartë.”
- Plum Sykes , autore e “Biondet e Bergdrofit” dhe “E divorcuar rishtas”.

Anne Berest është autore e dy romaneve dhe një biografie të Françoise Sagan, botuar këtë vit. Ajo shkruan gjithashtu për televizionin, kinemanë dhe teatrin.

Caroline de Maigret studioi për letërsi në Universitetin e Sorbonës, përpara se të shpërngulej në Nju-Jork për të punuar si modele. Në vitin 2006 u kthye në Paris për të themeluar markën saj muzikore. De Maigret është ambasadore e Chanel që prej vitit 2012. Ajo mbron të drejtat e grave me OJQ-në CARE dhe në vitin 2014 u bë ikona e Lancôme.

Sophie Mas ka lindur dhe është rritur në Paris. Pas studimeve për shkenca politike dhe studimet e larta komerciale HEC, ajo themeloi studion e saj të produksionit dhe sot punon mes Los Anxhelosit, Nju-Jorkut dhe San Paolos.

Audrey Diwan, pas studimeve për gazetari dhe shkenca politike, u bë skenariste. Ka shkruar skenarin për La French të Cédric Jimenez, me aktorin Jean Dujardin, si dhe po punon për filmin e saj të parë artistik me metrazh të gjatë si regjisore. Është gjithashtu drejtore editoriale e revistës Stylist.