Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
E drejta e internetit

Libra dhe CD / Publicistikë

E drejta e internetit

nga Botimet Dudaj

1.000 Lekë

Oltion Spiro

E drejta e internetit

Nr. faqe: 264

ISBN 978-99943-0-305-2

Çmimi: 1000 lekë

“Libri sjell të sistemuar e të organizuar mbi baza shkencore një lëndë të bollshme dhe interesante që ka të bëjë me kriteret, rregullat dhe normat që duhen zbatuar nga gjithkush që dëshiron të përdorë internetin. Aty gjenden mënyrat e shprehjes dhe të rregullimit juridik midis aktorëve të panumërt të kësaj bote virtuale të internetit, si dhe të çështjeve të tilla, si e drejta e internetit, duke nisur nga përkufizimi i vetë internetit dhe duke vazhduar më tej me një gamë të gjerë aspektesh introduktive, që kanë të bëjnë me shkëmbimet në internet, të rregulluara juridikisht nëpërmjet një serie kontratash teknike, siç janë kontrata e furnizimit të aksesit drejt internetit, kontrata e host-it, ajo e përgatitjes së faqes së internetit, e reklamimit, kontratat midis tregtarit dhe konsumatorit.

Po ashtu, trajtohen në gjerësi përgjegjësitë e aktorëve të internetit, ku përfshihen furnizuesit e mjeteve teknike të komunikimit, operatorët e telekomunikacionit, furnizuesit e aksesit drejt internetit, host-et, botuesit e faqes së internetit etj. Një pjesë e rëndësishme i kushtohet trajtimit të së drejtës së autorit në internet, mbrojtjes së faqes së internetit dhe të krijimtarisë në përgjithësi, sanksionet për shkarkimet (download-imet) pirate nga interneti etj.

Ndërkaq, në libër shtjellohet hollësisht një çështje mjaft e ndjeshme për çdo përdorues të internetit: garantimi dhe mbrojtja e privatësisë në komunikimet elektronike.

Kjo lëndë interesante dhe mjaft e dobishme për këdo, është trajtuar duke u mbështetur në një analizë të gjithanshme e të kujdesshme, gati gjithëpërfshirëse të rregullimeve të parashikuara nga legjislacioni shqiptar, por edhe nga aktet juridike të Komunitetit Europian.”

Prof. dr. Ksenofon Krisafi

Oltion Spiro është diplomuar për drejtësi në Francë, titullar i gradës master në të Drejtën Private dhe Europiane pranë Universitetit të Limoges, Francë. Ka mbrojtur diplomën me temë: “Shkarkimet në internet dhe e drejta”. Është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për lëndët “E drejta e autorit” dhe “Pronësia intelektuale”. Gjithashtu ka qenë pedagog i lëndës “E drejta ndërkombëtare private” pranë Universitetit “Kristal”, si dhe autor i artikullit shkencor “Pozita juridike e kopjes për përdorim vetjak në mjedisin numerik”, botuar në revistën juridike të Fakultetit të Drejtësisë.

Ka një përvojë 7-vjeçare konsulence juridike pranë zyrës ligjore “Loloçi & Associates” për fusha të ndryshme të legjislacionit shqiptar, si në atë tregtar, civil dhe të pronësisë intelektuale.