Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Udhëtimi i jashtëzakonshëm i fakirit që kishte ngecur në një dollap të IKEA-s

Libra dhe CD / Letërsi e Huaj

Udhëtimi i jashtëzakonshëm i fakirit që kishte ngecur në një dollap të IKEA-s

nga Botimet Dudaj

900 Lekë

Romain Puértolas

Udhëtimi i jashtëzakonshëm i fakirit që kishte ngecur në një dollap të Ikea-s

Roman

Përktheu: Amantia Kapo

Nr.faqe: 216

ISBN 978-99943-0-384-7

Çmimi: 900 lekë

Një histori pikante dhe e këndshme që shërben gjithashtu edhe si pasqyrë e një realiteti të ashpër: lufta e përditshme e emigrantëve ilegalë gjatë udhëtimit të tyre drejt një bote më të mirë. A është ky një kombinim i pamundur? Jo, aspak për një përrallë (me moral) të kohërave tona, e cila, për fat të mirë, na kujton atë çka mund të bëjë zemra e njeriut.

Azhatashatru Lavash Pateli, një indian me profesion “fakir” e që jeton duke bërë truke, çohet një mëngjes dhe vendos se ka ardhur çasti për të blerë një shtrat të ri me gozhdë. Hap gazetën dhe gjen një ofertë joshëse: një shtrat me gozhdë (plot 15.000, për të qenë të saktë), për 99.99 euro. Një çmim me të vërtetë bindës, sidomos nëse paguhet me një kartëmonedhë false. Mobilia është Ikea dhe gjendet vetëm në pikat e shitjes në Parisi. Azhatashatruja vesh një kostum të mëndafshtë, turbanin më të mirë që ka dhe niset për në Paris. Në aeroport hipën në një taksi që drejtohet nga romi Gustav, i cili përpiqet ta rrjepë, po në të vërtetë del vetë i rrjepur...

Arrin në Ikea dhe magjepset nga bukuria e mobilieve të ekspozuara dhe nga magjia pafund e portave lëvizëse të dyqanit gjigant suedez. Mendon ta kalojë natën aty për ta shijuar me nge këtë mrekulli, por mbërritja e shitësve e detyron të fshihet në një dollap. Sa keq, ama, se pikërisht atë mëngjes dollapi duhet dorëzuar në Angli.

Ky është fillimi i një aventure plot me takime surreale ndjekjeje, arratisjeje dhe peripecish të paimagjinueshme, që do ta çojnë nga Europa deri në Afrikën e Veriut dhe do t’ia ndryshojnë përgjithmonë perceptimin për botën.

“Me ‘Udhëtimi i jashtëzakonshëm i fakirit që kishte ngecur në një dollap të Ikeas-s’, Romain Puértolas e kalon testin e 99 faqeve të para.”

- Victor Garcia, L’Express

“Aventurat e indianit nëpër Europë janë tejet komike, edhe pse në sfond shohim të pasqyruar fatin e këtyre njerëzve të dëshpëruar e që janë të gatshëm për gjithçka për t'i shpëtuar varfërisë.”

- Le Figaro

“Një shkrimtar i ri që di ta përdorë penën pa komplekse...”

- Philibert Humm, Paris-Match

Romain Puértolas, me origjinë franko-spanjolle, ka lindur në vitin 1975 në Montpellier. Ka jetuar në Spanjë dhe Angli dhe ka punuar si DJ, si mësues gjuhësh të huaja, si përkthyes, si stjuard e si iluzionist. I angazhuar si aktivist, ka luftuar për të drejtat e emigrantëve dhe, para se t’i përkushtohej tërësisht shkrimit, ka punuar si analist pranë policisë së kufirit. “Udhëtimi i jashtëzakonshëm i fakirit që kishte ngecur në një dollap të Ikea-s” është romani i tij i parë.