Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Të fshehtat e trurit

Libra dhe CD / Libra praktikë

Të fshehtat e trurit

nga Botimemax

800 Lekë

Përgjatë dekadave kur janë kryer studime dhe është shkruar për neuroshkencën, shpesh e kemi gjetur veten duke diskutuar për trurin në vende nga më të çuditshmit: te berberi, në taksi, madje edhe në ndonjë ashensor të rastësishëm.

Besojeni ose jo, njerëzit nuk i shmangen aspak këtij diskutimi. Përkundrazi, na drejtojnë gjithfarëlloj pyetjesh interesante:

Është e vërtetë që kur pi, vras qelizat e trurit?

Ndihmon të mësuarit pa ndërprerje përpara provimit?

Nëse dëgjoj muzikë gjatë shtatzënisë, vërtet fëmija do të lindë më i zgjuar?

Çfarë nuk shkon me fëmijën tim adoleshent?

Pse nuk e gudulisim dot veten?

Vërtet gratë dhe burrat mendojnë në mënyra të ndryshme?

Mund të sëmuresh nga amnezia, nëse merr një goditje në kokë?

Të gjitha këto pyetje të drejtojnë tek truri, ajo masë e mahnitshme thuajse një kilogram e gjysmë brenda kafkës, që ju identifikon. Truri të krijon mundësinë të shohësh perëndimin e diellit, të mësosh gjuhë të huaja, të tregosh anekdota, të njohësh një shok, të largohesh nga rreziku - dhe të lexosh këtë paragraf.

Gjatë njëzet vjetëve të fundit shkencëtarët neurologë kanë arritur të mësojnë shumë për mënyrat se si truri i kryen gjithë këto funksione.

Vërtet një çështje e ndërlikuar, por kjo s'duhet të na frikësojë. Ky libër do t'ju mësojë se si funksionon truri dhe si të ndikoni që të funksionojë më mirë. Truri përdor shumë mënyra për t'i kryer funksionet e tij, përfshi këtu edhe rrengje apo zgjidhje të shpejta, që e ndihmojnë të punojë efektivisht, por që mund t'ju shtyjnë të bëni gabime.

Teksa lexoni këtë libër do të kuptoni se si arrini t'i kryeni veprimet në jetën e përditshme. Në faqet e tij do të rrëzojmë edhe disa nga idetë që ju i merrni të mirëqena. Për shembull, nuk është e vërtetë se përdorim vetëm 10 për qind të trurit. (Vërtet e besonit këtë!?) Njohja më e plotë e trurit mund të jetë jo vetëm e këndshme, por edhe e vlefshme. Do t'ju tregojmë se si ndryshime të parëndësishme mund ta zgjerojnë më tej fushëveprimin e trurit dhe t'ju ndihmojnë të keni një jetë më të frytshme e të lumtur. Gjithashtu, do t'ju tregojmë se si sëmundjet e dëmtojnë trurin; njëkohësisht, do t'ju këshillojmë edhe mënyra parandaluese që riparojnë dëmin.

Ky libër është si një udhëtim: do të prekim në të pikat dhe zonat më të rëndësishme. Por këtë udhëtim nuk ka pse ta nisni detyrimisht nga fillimi. Mund të përqendroheni në pjesën që keni dëshirë, pasi çdo kapitull qëndron më vete. Në secilin prej tyre do të gjeni fakte zbavitëse, batuta që mund t'ua tregoni miqve në festa, si dhe këshilla praktike për ta vënë sa më mirë në përdorim trurin. Gjithashtu, do t'ju njohim edhe me marifetet që përdor truri - si mund të përfitoni prej tyre, që ta shfrytëzoni më mirë atë. Mbajeni këtë libër pranë, në tryezën që pini kafenë apo në tualet dhe lexojeni, kudo, në çfarëdo ore. Shpresojmë se do t'ju zgjojmë dhe do t'ju kënaqim. Kështu, sapo të lexoni faqet e para, do t'ju lindë dëshira ta lexoni gjithë librin. Pra, përgatituni të zbuloni të fshehtat e trurit - si edhe të vetvetes.