Grepi.al - Platforme e sigurte per shitje dhe blerje online
Një Xhinxhis Khan i ditëve tona

Libra dhe CD / Libra praktikë

Një Xhinxhis Khan i ditëve tona

nga Botimemax

400 Lekë

Xhinxhisi është një burrë i fuqishëm i ditëve tona, thuajse një kopje bashkëkohore e Xhinxhis Khanit, mbretit të mongolëve, që dëshironte të krijonte perandorinë më të madhe të historisë. Është një burrë që i ka të gjitha dhe i do të gjitha. Dhe dyshon në besimin te Zoti, sepse e ndien veten perëndi.

Ndërsa Tomasi është një karikaturist dhe poet satirik. Mjeshtër i parodive, ai është tallur gjithmonë me absurditetin e kohëve moderne, arrogancën mediatike dhe çdo gjë tjetër që synon vdekjen e poezisë. Satirat e tij kundër harbutërisë së pushtetit e kanë bërë të fitojë simpatinë e njerëzve të thjeshtë.

Xhinxhisi ia shkatërron jetën Tomasit, të cilin e përçmon si të kundërtën e vetvetes. I prish rendin e familjes: i merr gruan me vete, bashkë me djalin, Duçio, një fëmijë i zgjuar, që Tomasi e do më shumë se një bir të tijin. Shkon edhe më përtej Xhinxhisi: kërkon ta asgjësojë fare viktimën e tij si dinjitet dhe si talent.

Në fillim Tomasi dërmohet krejtësisht dhe kalon net ferri, por pastaj reagon me fuqi të përtërira. Goditja e tij e parë është krijimi i një karikature “anti-Xhinxhis”, që bëhet shpejt simbol i kundërshtimit dhe shpërndahet me shpejtësi ere duke u shumëfishuar edhe nëpër rrugë. Kështu lind “Xhinxhis Can”, pa K-në dhe pa H-në. Emri i thjeshtë “Xhinxhis”, ndërkaq shqiptohet gojë më gojë si “Xhinxhis Kan”, që do të thotë “Xhinxhis Qeni” në italisht.

Dhe Tomasi këtë sfidë do ta fitojë me një shigjetë të vetme në harkun e tij: me ironinë. Për rilindjen dhe hakmarrjen e tij, ai ka dy gra përkrah: nënën e fortë dhe të mençur, Moretën, që ka njohur plot Xhinxhisë të vegjël egoistë në jetën e saj, si dhe të jashtëzakonshmen Lila, krenare për veten, e cila ka sakrifikuar talentin e saj si aktore për të mos u shitur si grua.

Pushteti i satirës arrin kulmin kur Tomasi vendos ta sulmojë ballë për ballë Xhinxhisin me ironinë e tij, pikërisht brenda në shtëpinë dhe pushtetin e tij.

Një roman i ashpër dhe grotesk, që i bën jehonë jetës së sotme italiane, por edhe asaj të të gjithë botës.